Sot, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mbajti takimin e parë publik për vitin 2026, ku prezantoi raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit para qytetarëve. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të interesuar.
Gjatë prezantimit, kryetari Bulliqi paraqiti punën e realizuar në secilën drejtori, duke theksuar projektet e përfunduara, investimet që janë në realizim, sfidat e hasura gjatë kësaj periudhe, si dhe prioritetet për pjesën e mbetur të vitit 2026.
DREJTORIA E ADMINISTRATËS
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Drejtoria e Administratës ka vazhduar ofrimin efikas të shërbimeve për qytetarët. Janë lëshuar mbi 25 mijë certifikata të gjendjes civile, ndërsa Qendra për Shërbim me Qytetarë ka trajtuar mbi 36 mijë kërkesa. Janë kryer përkthime të dokumenteve zyrtare dhe janë ofruar shërbime të ndryshme administrative për qytetarët.
DREJTORIA PËR BUXHET DHE FINANCA
Është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 982 mijë euro të hyra vetanake, ndërsa janë bartur edhe mbi 1.4 milion euro të hyra nga viti paraprak. Gjithashtu janë regjistruar 694 objekte të reja në sistemin e tatimit në pronë. Një ndër zhvillimet më të rëndësishme është miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore, me të cilën për vitin 2027 është planifikuar buxheti më i madh në historinë e komunës, në vlerë prej 35.9 milionë euro.
DREJTORIA E ARSIMIT
Në sektorin e arsimit kanë vazhduar investimet e mëdha në infrastrukturën arsimore. Ka përfunduar ndërtimi i sallës së sporteve në ShFMU “Ali Ajeti” në Sfeçël, ndërsa janë në faza të avancuara ndërtimi i Shkollës së Mesme Ekonomike, Shkollës së Kompetencës, Kuzhinës Qendrore, disa objekteve të reja shkollore, anekseve dhe sallave sportive. Po ashtu vazhdon ndërtimi i tri çerdheve të reja dhe adaptimi i objekteve ekzistuese për shndërrimin e tyre në çerdhe. Në kuadër të mbështetjes së studentëve, janë ndarë bursa për 326 studentë.
DREJTORIA PËR SHËNDETËSI DHE MIRËQENIE SOCIALE
Kryetari theksoi progresin në projektet sociale dhe shëndetësore, përfshirë ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për të Moshuar, projektin e banimit të përballueshëm dhe ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë në bashkëpunim me donatorë. Gjatë kësaj periudhe janë subvencionuar qytetarë me sëmundje kronike, organizata që mbështesin personat me nevoja të veçanta dhe mbi një mijë familje janë ndihmuar me pako ushqimore e higjienike. Në QKMF janë realizuar mbi 47 mijë vizita shëndetësore dhe mbi 33 mijë shërbime në terren, ndërsa është punuar edhe në zgjerimin e shërbimeve profesionale dhe përmirësimin e furnizimit me barna dhe pajisje.
DREJTORIA PËR PLANIFIKIM URBAN DHE MBROJTJE TË MJEDISIT
Në këtë drejtori janë duke u realizuar investime të rëndësishme në infrastrukturë rrugore në qytet dhe fshatra. Po vazhdojnë punimet në rikonstruktimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e urave, rehabilitimin e rrugëve kryesore dhe realizimin e projekteve të mëdha që bashkëfinancohen me nivelin qendror. Njëkohësisht është punuar në trajtimin e kërkesave për leje ndërtimore, legalizime dhe leje mjedisore.
DREJTORIA PËR PRONË, KADASTËR DHE GJEODEZI
Gjatë gjashtëmujorit janë trajtuar mbi 4,700 kërkesa për shërbime kadastrale, me një shkallë realizimi prej afro 95 për qind. Janë përpunuar mijëra certifikata pronësie, plane kadastrale, regjistrime hipotekash dhe procedura të tjera pronësore, duke rritur efikasitetin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
DREJTORIA PËR KULTURË, RINI DHE SPORT
Në fushën e kulturës dhe sportit kanë vazhduar investimet në infrastrukturë sportive, ku ka përfunduar fusha e dytë e tenisit, ndërsa janë drejt përfundimit Qendra Multifunksionale, Pishina Gjysmëolimpike dhe renovimi i Stadiumit “Zahir Pajaziti”. Janë iniciuar edhe procedurat për ndërtimin e Palestrës Multisportive. Përmes thirrjeve publike janë mbështetur organizata, klube sportive dhe aktivitete kulturore e rinore. Gjatë kësaj periudhe Teatri “Avdush Hasani” ka realizuar një numër rekord prej 19 shfaqjesh.
DREJTORIA PËR SHËRBIME PUBLIKE, MBROJTJE DHE SHPËTIM
Është investuar në ndërtimin dhe rinovimin e trotuareve, ndriçimin publik, shtigjet e biçikletave, muret mbrojtëse dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Kanë vazhduar punimet në projektet e kanalizimit, rregullimin e hapësirave publike dhe infrastrukturës së varrezave. Po ashtu janë mbjellë mbi 11 mijë lule dekorative, ndërsa shërbimi zjarrfikës ka intervenuar në 169 raste.
DREJTORIA E BUJQËSISË, PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL
Janë duke vazhduar punimet në Parkun Bujqësor në Sfeçël dhe është ndërtuar sistemi i ujitjes në Lupç, ndërsa është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e rrjetit të ujitjes në 10 zona të komunës. Përmes subvencioneve janë mbështetur fermerët me mëshqerra, sera, fidanë, mekanizëm bujqësor dhe pajisje për sektorë të ndryshëm të bujqësisë. Gjithashtu ka vazhduar bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë dhe organizata vendore e ndërkombëtare për fuqizimin e fermerëve dhe grave në agrobiznes.
DREJTORIA E INSPEKSIONIT
Inspektorati komunal ka vazhduar zbatimin e kontrolleve në fushën komunale, mjedisore, ndërtimore dhe të komunikacionit, duke realizuar qindra inspektime, trajtuar ankesa të qytetarëve dhe ndërmarrë masa administrative ndaj shkeljeve të evidentuara, me fokus në respektimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e interesit publik.
DREJTORIA PËR PLANIFIKIM DHE ZHVILLIM EKONOMIK
Janë iniciuar projekte të rëndësishme për zhvillimin ekonomik lokal, përfshirë hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal 2026-2030 dhe krijimin e katalogut të pronave komunale për investime. Po ashtu është nisur programi i subvencionimit të bizneseve lokale, ndërsa janë zhvilluar aktivitete për promovimin e turizmit dhe mbështetjen e ndërmarrjeve. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 187 biznese të reja.
Pas prezantimit të raportit, qytetarët parashtruan pyetje dhe ngritën çështje që lidhen me shërbimet komunale, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, urbanizmin dhe sektorë të tjerë. Kryetari Bulliqi iu përgjigj seciles pyetje, duke ofruar sqarime për projektet aktuale dhe projektet e planifikuara.
Në përmbyllje të takimit, kryetari Bulliqi falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në diskutim, duke i inkurajuar që të vazhdojnë të jenë pjesë e takimeve publike dhe proceseve vendimmarrëse.