Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka pitur sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me të cilin diskutuan për bashkëpunimin institucional e në veçanti për sigurinë në vend.
Pas takimit, Kryetari Bulliqi bashkë me Ministrin Sveçla, Sekretarin e kësaj Ministrie, Genc Metaj, Nënkryetarin e Komunës, Fahri Restelica e Drejtorin e Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, vizituan Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë. Gjatë kësaj vizite u bë pranim-dorëzimi i një automjeti modern për fikjen e zjarreve – donacion nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Ky automjet i teknologjisë së fundit do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve të zjarrfikësve në Podujevë dhe në rritjen e sigurisë për qytetarët tanë, pasi do të shërbejë për fikjen e zjarreve në objekte me lartësi deri në 32 metra dhe po ashtu edhe për evakuimin e qytetarëve nga ndërtesat e larta (në rast zjarri)”, theksoi Bulliqi.
Ai e falënderoi Ministrin Sveçla për këtë ndihmë dhe për mbështetjen e vazhdueshme që e kanë bërë dhe po e bëjnë si Qeveri për Komunën e Podujevës.