Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim sportistin e talentuar Aid Curri, kampion i karatesë në garat mesdhetare të mbajtura së fundmi në Guadalajara të Spanjës.
Aidi, i cili është pjesë e klubit të karatesë “Besa” nga Lluzhani, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar dy medalje të arta në disiplinat individuale dhe ekipore – kategoria junior.
Gjatë takimit, kryetari Bulliqi e ka uruar Aidin për arritjet e tij dhe medaljet e fituara, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në garat ndërkombëtare. Ai gjithashtu ka theksuar se Komuna e Podujevës, përgjatë të gjithë mandatit, ka ofruar përkrahje për klubet sportive, të cilat po dëshmojnë çdo ditë se janë burim i talenteve dhe krenarisë për qytetin.
Kampionë si Aid Curri janë shembulli më i mirë i përkushtimit, punës dhe potencialit të rinisë sonë, të cilët përfaqësojnë me dinjitet komunën dhe vendin në arenën ndërkombëtare.