Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, sot priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux.
Gjatë këtij takimi, kryetari Bulliqi e ambasadori hungarez folën për mundësinë e bashkëpunimit të Komunës së Podujevës dhe komunave hungareze në fusha të ndryshme.
“Ndër çështjet kryesore që trajtuam ishin mundësitë për binjakëzimin e Komunës së Podujevës me qytete hungareze, krijimi i hapësirave për bursa studimi dhe trajnime profesionale për studentët llapjanë, si dhe avancimi i bashkëpunimit ekonomik për të tërhequr investime të reja.
E falënderoj ambasadorin Dux për vizitën, diskutimin konstruktiv dhe gatishmërinë e treguar për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona, në funksion të zhvillimit dhe përfitimit të ndërsjellë të qytetarëve tanë”, tha kryetari Bulliqi.