Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi bashkë me drejtorët Shuajb Blakçori dhe Lirie Hoti-Rama dhe shefen e Kabinetit, Edona Çitaku po qëndrojnë në një vizitë në qytetin Ames të Iowas në SHBA. Ata janë takuar me Kryetarin e qytetit Ames, z. John Haila, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorja e tij znj. Karla McCollum dhe përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës në Iowa, z. Drilon Zogaj dhe z. Fatmir Rrahmanaj.
“Në këtë takim diskutuam për krijimin e urave të bashkëpunimit mes Podujevës dhe Ames-it.
U dakorduam për bashkëpunim në fusha si ekonomia, bujqësia, arsimi dhe lidhjet ndërmjet bizneseve të dy qyteteve. Presim që së shpejti të fillojmë me projekte konkrete dhe gjatë vizitës së ardhshme të delegacionit nga Ames në Podujevë të formalizojmë edhe binjakëzimin mes dy komunave tona”, tha Kryetari Bulliqi.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Shpejtim Bulliqi, ka takuar edhe përfaqësues të Aleancës Ekonomike Rajonale të qytetit Ames, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve tona dhe atyre nga shteti Iowa në SHBA.
“Në takim u pritëm nga: znj. Shannon Thiele Drejtoreshë e Zhvillimit të Fuqisë Punëtore dhe z. Dylan Kline Drejtor i Zhvillimit të Biznesit në Dhomën e Tregtisë në Ames.
Gjatë takimit, u theksua vullneti i ndërsjellë për të krijuar ura bashkëpunimi ekonomik, shkëmbim përvojash dhe nxitje të investimeve. Ky takim shërben edhe për promovimin e potencialit që ofrojnë bizneset tona në një treg më të gjerë ndërkombëtar”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Ai tha se ky është vetëm fillimi i një partneriteti të rëndësishëm ndërmjet Podujevës dhe qytetit të Ames!