Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, në një konferencë për media, ka sqaruar situatën rreth furnizimit me ujë të pijes në Podujevë. Ai theksoi se edhe pse çështja e furnizimit me ujë të pijes është kompetencë e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Komuna e Podujevës ka investuar në rrjetin e ujësjellësit.
“Në saje të kësaj, kemi pasur bashkëpunim me KRU “Prishtina” dhe i kemi bërë dy investime të rëndësishme, njëri investim është në gypin kryesor që e furnizon qytetin e Podujevës nga fabrika në Shajkoc. Ky gyp ka qenë me diametër 40 cm dhe ka ardhur deri në afërsi të Lagjes së Dëshmorëve dhe nga aty e kemi gjetur të reduktuar në 24cm. Këtë e kemi zëvendësuar me gyp të ri 40cm për ta furnizuar rezervuarin. Me këtë investim është përmirësuar dukshëm furnizimi me ujë për qytetin e Podujevës edhe gjatë stinës së verës”, tha kryetari Bulliqi gjatë kësaj konference.
Sipas tij, me vendosjen e këtij gypi, Lagjja “Ali Ajeti” është larguar nga gypi qendror dhe, për shkak edhe të pozitës së lartë gjeografike me pjesën tjetër të qytetit, janë paraqitur probleme të kohë pas kohëshme. Ai tha se ajo Lagje për më shumë se 20 është furnizuar me ujë nga gypi i azbestit dhe për herë të parë, bashkë me KRU “Prishtina” është zëvendësuar gypi.
“Në atë lagje ka pasur më shumë problem edhe për shkak të konfiguracionit më të lartë që e ka ajo lagje dhe në momentin që nuk ka furnizim të mjaftueshëm nga gypi kryesor që vjen nga Shajkoci dhe bie niveli i ujit, aty paraqiten probleme.
Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e KRU ‘Prishtina’. Është takimi i tretë që e kemi realizuar me kryeshefin ekzekutiv, drejtorët teknikë, por edhe drejtorët e Njësisë në Podujevë rreth furnizimit me ujë. Por, në momentin që bie furnizimi nga kanali i Ibër Lepencit, Ujësjellësi e rrit kapacitetin e furnizimit me ujë nga Fabrika e Shajkocit për Prishtinë dhe e zvogëlon për Komunën e Podujevës”, theksoi Bulliqi.
Ndërsa, sa i përket lajmit në media rreth zgjebës, ai tha se raporti i mjekëve e mohon një gjë të tillë.
“Sa i përket zgjebës, unë e kam këtu raportin e sotëm të specialistëve mjekësorë, të cilët kanë qenë e kanë verifikuar dhe nuk qëndron ajo informatë. Për këtë do të bëhet edhe një denoncim në organet e rendit për deklarimin e rrejshëm që e ka bërë ai person”, theksoi Bulliqi.