Kryetari Agim Veliu dha betimin para Kuvendit të Komunës së Podujevës
Në seancën konstituive të Kuvendit të Komunës së Podujevës
Kryetari Agim Veliu dha betimin para Kuvendit të Komunës së Podujevës
Kryetari Veliu i propozoi Kuvendit që komuna e Podujevës të ndaj një ndihmë nga buxheti i saj për dëmet e shkaktuara në një shumë prej 20 mijë euro. Ky propozim u votua nga të gjithë këshilltarët.
Sot në Sallën e Kuvendit të komunës së Podujevës u mbajt në mënyrë solemne seanca konstituive e Kuvendit të ri të komunës së Podujevës dhe betimi i kryetarit të ri të komunës së Podujevës z. Agim Veliu. Në këtë takim përpos këshilltarëve të rinj merrnin pjesë edhe mysafirë të ftuar nga MAPL, gjykatat komunale, Policia e Kosovës në Podujevë dhe Lluzhan, institucione ndërkombëtare, si OSBE, KFOR, përfaqësues të partive politike që veprojnë në komunën e Podujevës etj.
Seanca u kryesua nga këshilltari më i moshuar në Kuvendin e ri z. Shaban Osmani, cili fillimisht e filloi procesin e dhënies së betimit nga ana e këshilltarëve të ri të Kuvendit të Komunës, dhe më pastaj betimin solemn e dha edhe kryetari i ri z. Agim Veliu. Më pas z. Osmani ja dha fjalën kryetarit të ri të komunës së Podujevës z. Agim Veliu, i cili tha:
“Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni në fillim t’ ju përshëndes të gjithëve për prezencën tuaj në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Komunës me rastin e betimit solemn të këshilltarëve dhe timin në cilësinë e kryetarit të komunës .
Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë këshilltarët e përbërjes së kaluar dhe kryetarin z. Ilaz Pireva për punën, angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë mandatit dy vjeçar.
Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë e cila më është besuar me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve të komunës së Podujevës.
Këtë funksion në asnjë mënyrë nuk e konsideroj si privilegj, por si obligim për përkushtim dhe angazhim maksimal në përmbushje të detyrimeve, ushtrimin e kompetencave dhe autorizimeve mbi bazën e ligjeve që kanë të bëjnë me funksionimin e pushteti lokal.
Gjatë këtij mandati katër vjeçar do të angazhohem që e gjithë puna e institucioneve komunale të jetë transparente dhe efikase në realizimin e një vizioni të ri zhvillimor për komunën e Podujevës dhe për t’i vënë bazat për zhvillim të gjithanshëm afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Programi im reflekton plotësisht nevojat e qytetarëve të komunës së Podujevës dhe si i tillë është përmbajtjesor dhe i realizueshëm gjithnjë i bazuar në kërkesat aktuale dhe objektivat zhvillimore të komunës.
Ky program përfshinë të gjithat segmentet e jetës së qytetarëve duke filluar nga administrata komunale, ekonomia, arsimi, shëndetësia, çështjet sociale, kultura, çështjet e rinisë e sportit, shërbimet publike e deri te projektet kapitale për komunë të cilat kanë për qëllim krijimin e mirëqenies së qytetarëve të Komunës sonë si dhe krijimin e një sistemi transparent dhe të afërt për ta, mirëpo ky program parasheh edhe mundësinë për t’ iu adaptuar ndryshimeve që mund të ndodhin gjatë qeverisjes katërvjeçare.
Qytetarë dhe këshilltarë të nderuar,
Ju garantoj se do të jem gjithnjë me ju si kryetar i gjithë qytetarëve të Komunës pa dallim, andaj ju ftoj që të jeni pjesëmarrës aktiv në realizimin e synimeve tona të përbashkëta, në realizimin e vizionit për Komunë moderne me zhvillim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm dhe qeverisje efikase në funksion të ngritjes së cilësisë së jetës.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje me rëndësi për komunën tonë dhe në fund më lejoni t’i përgëzoj të gjithë këshilltarët e rinj të Kuvendit duke ju dëshiruar shëndet dhe punë të suksesshme në mandatin e fituar nga populli.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës !
Zoti e bekoftë komunën e Podujevës !
Ju faleminderit ! “
Më pas kryetari Veliu duke i përkujtuar këshilltarët për gjendjen e vështirë në Shqipëri nga vërshimet e mëdha që edhe më tej janë duke vazhduar, dhe duke iu thënë se në lidhje me këtë ka biseduar më herët edhe me kryetarin e mëparshëm z. Ilaz Pireva, i cili po ashtu është pajtuar, ai i propozoi Kuvendit që komuna e Podujevës të ndaj një ndihmë nga buxheti i saj për dëmet e shkaktuara në një shumë prej 20 mijë euro. Ky propozim u votua nga të gjithë këshilltarët.
Postuar me datë:08-01-2010
Sot në Sallën e Kuvendit të komunës së Podujevës u mbajt në mënyrë solemne seanca konstituive e Kuvendit të ri të komunës së Podujevës dhe betimi i kryetarit të ri të komunës së Podujevës z. Agim Veliu. Në këtë takim përpos këshilltarëve të rinj merrnin pjesë edhe mysafirë të ftuar nga MAPL, gjykatat komunale, Policia e Kosovës në Podujevë dhe Lluzhan, institucione ndërkombëtare, si OSBE, KFOR, përfaqësues të partive politike që veprojnë në komunën e Podujevës etj.