Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Armend Muja, nënkryetarin e Komunës, Fahri Restelica dhe drejtorin e Bujqësisë, Behram Latifi, përcollën nga afër fushatën e korrje-shirjeve në Podujevë.
Me këtë rast kryeministri Kurti, tha se rendimentet e grurit këtë vit janë dukshëm më të mira krahasuar me vitin e kaluar. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen që niveli qendror po ua ofron fermerëve në mbarë Kosovën.
Ndërsa, ministri Muja tha se këtë vit është rritur sipërfaqja e mbjellur me grurë dhe se, krahasuar me vitet e kaluara, është rritur ndjeshëm edhe numri i fermerëve që e kultivojnë këtë kulturë. Sipas tij, këtë vit janë regjistruar rreth 23 mijë fermerë që kanë mbjellë grurë.
Ndërkohë, sa i përket fushatës së korrje-shirjeve, nënkryetari Fahri Restelica tha se po zhvillohet me ritëm të mirë.
Sipas drejtorit të Bujqësisë, Behram Latifi, këtë vit në Komunën e Podujevës janë mbjellë 5,400 hektarë me grurë.