Aktivitetet e organizuara për Manifestimin “Ditët e Diasporës” janë përmbyllur mbrëmë me koncertin ku performoi ‘live’ para shumë pjesëmarrësve këngëtari Labinot Tahiri.
Përgjatë këtyre më shumë se tri javë Podujeva ishte e mbushur me shumë aktivitete kulturore, artistike e sportive.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, tha se këto aktivitete janë organizuar në nderim të mërgatës sonë dhe qytetarëve tanë.
“Falënderoj të gjitha grupet pjesëmarrëse, këngëtarët, artistët e sportistët për kontributin e tyre. Një falënderim i veçantë shkon për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe bashkëpunëtorët nga komuna për organizimin e suksesshëm. Gjithashtu, mirënjohje për policinë, punëtorët e ‘Eko Llapit’ dhe ekipet e QKMF-së për përkushtimin dhe kujdesin e treguar gjatë këtyre aktiviteteve”, theksoi Bulliqi.
Në hapje të koncertit të mbrëmshëm, Kryetari Bulliqi tha se gjatë mandatit të parë njëvjeçar i pari donacion që i është dhuruar Komunës ka qenë një autoambulancë nga këngëtari Labinot Tahiri, për çka e falënderoi atë.
Aktivitetet për Manifestimin “Ditët e Diasporës” filluan më 26 korrik dhe përfunduan më 18 gusht.