Në një ceremoni të organizuar nga OSBE-ja është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.
Ky memorandum mirëkuptimi ka për qëllim që komuna ta ndihmojë financiarisht strehimoren e QMGF-së, e cila ofron shërbime rezidenciale për viktimat e dhunës në familje.
Në emër të Komunës së Podujevës, memorandumin e nënshkroi nënkryetari, Fahri Restelica, i cili tha se si institucione e kanë për obligim t’u dalim në ndihmë viktimave të dhunës në familje.
“Komuna e Podujevës do të ofrojë mbështetje financiare për strehimoren e QMGF-së, në mënyrë që viktimave të dhunës në familje t’u ofrohen shërbime më të mira dhe të kenë më shumë siguri për të rifilluar jetën e tyre”, theksoi nënkryetari Restelica.
Kjo është hera e tretë që Komuna e Podujevës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.