Biblioteka personale e profesorit të ndjerë Shefki Sejdiu i është dhuruar Bibliotekës së Qytetit të Podujevës.
Në ceremoninë e dorëzimit të donacionit morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi-Azemi, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe profesori Jusuf Osmani.
Në fjalën e tij, nënkryetari Fahri Restelica foli për kontributin e profesorit Shefki Sejdiu në sektorin e arsimit në Podujevë.
“Prandaj, ky dhurim librash bart një simbolikë të veçantë. Ai vazhdon misionin që profesori Shefki Sejdiu e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës së tij – përhapjen e dijes, kultivimin e leximit dhe edukimin e brezave të rinj. Librat që sot i shtohen bibliotekës sonë do të mbeten një trashëgimi e çmuar për nxënësit, të rinjtë dhe për të gjithë dashamirët e librit”, tha nënkryetari Restelica.
Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, familjar i profesorit Shefki Sejdiu, tha se porosia e tij e fundit ishte që të gjitha librat e bibliotekës personale të dhurohen për Bibliotekën e Qytetit të Podujevës.
“Porosia e fundit e profesorit Shefki Sejdiu ishte që të gjitha librat që i posedonte të dhurohen për Bibliotekën e Podujevës. Po ashtu, dëshiroj të theksoj se ai ishte ndër profesorët e parë të angazhuar në Gjimnazin e qytetit të Podujevës, ku kontribuoi në arsimimin e shumë gjeneratave”, tha ish-Presidenti Sejdiu.
Profesori Jusuf Osmani, bashkëpunëtor dhe mik i profesorit Shefki Sejdiu, ndau me të pranishmit kujtime nga bashkëpunimi i tyre.
“Një nga karakteristikat e profesorit Shefki Sejdiu ishte modestia. Ai ishte i angazhuar në aktivitete të ndryshme dhe shpeshherë preferonte që emri i tij të mos vihej në plan të parë”, tha Osmani.
Në emër të familjes Sejdiu, librat i dhuroi djali i profesorit Shefki Sejdiu, Pleurat Sejdiu.
Titujt e bibliotekës personale të profesorit Shefki Sejdiu do të vendosen në hapësirat e Bibliotekës së Qytetit të Podujevës.