Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Bahri Selimi, kanë mbajtur një takim pune me përfaqësues të organizatës Four Paws Strays Work in Kosovo, e cila prej disa vitesh është aktive edhe në Komunën e Podujevës në fushën e menaxhimit të qenve endacakë.
Gjatë takimit u diskutuan aktivitetet e deritanishme dhe rezultatet konkrete të punës në Podujevë, përfshirë programet e sterilizimit dhe kastrimit të qenve endacakë, klinikat mobile veterinare dhe monitorimin e situatës në terren.
Me këtë rast, u dakordua që bashkëpunimi të vazhdojë edhe gjatë periudhës janar- qershor 2026, ku organizata Four Paws do të marrë përsipër sterilizimin dhe kastrimin e qenve endacakë, ndërsa Komuna do të fokusohet në menaxhimin e qenve me pronar ose qenve shtëpiakë.
Ky bashkëpunim do të zyrtarizohet përmes një Memorandumi Bashkëpunimi, me qëllim të ndarjes së qartë të detyrave dhe përgjegjësive.