Sot, në Komunën e Podujevës, u inauguruan dy çerdhe të reja publike, njëra në fshatin Kërpimeh dhe tjetra në Orllan, ku në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë, anëtarë të ekzekutivit, mësimdhënës, prindër dhe zyrtarë komunal.
Fillimisht në fshatin Kërpimeh, objekti i vjetër i shkollës fillore “Hamit Sejdiu”, u rinovua me një investim prej rreth 200 mijë euro, duke u shndërruar në një çerdhe moderne me kushte të mira për fëmijët dhe komunitetin e kësaj ane.
Ndërsa në Orllan, brenda hapësirave të shkollës “Zahir Pajaziti”, është bërë adaptimi i ambienteve për çerdhe, duke krijuar klasa të reja, funksionale dhe të përshtatshme për fëmijët e këtij fshati, të cilët do të rriten e socializohen në një mjedis të përshtatshëm.
Me këtë rast, Kryeministri Kurti uroi të gjithë fëmijët, edukatorët dhe prindërit, duke theksuar:
“Investimi në fëmijë është investimi më i sigurt në të ardhmen e vendit tonë. Këto çerdhe nuk janë vetëm hapësira të reja mësimore, por themele mbi të cilat ndërtohet zhvillimi i shoqërisë sonë. Përgëzoj kryetarin Bulliqi dhe Komunën e Podujevës për punën dhe angazhimin e treguar në shërbim të qytetarëve.”
Ndërsa kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi Kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë në këtë mandat, duke shtuar: “Bashkëpunimi i mirë mes Qeverisë dhe Komunës sonë ka sjellë projekte të rëndësishme për qytetarët e Podujevës. Me përurimin e këtyre dy çerdheve, po dëshmojmë se investimet në arsim dhe përkujdesje për fëmijët janë prioritet. Jam i bindur se edhe në mandatin e ardhshëm Podujevën e presin investime të shumta dhe zhvillim i qëndrueshëm” përfundoi kryetari Bulliqi.