Në galerinë e qytetit është hapur ekspozita kolektive “Art Kolonia na Bashkon”, edicioni i dytë, organizuar nga udhëheqësi i kursit të Arteve Vizuele “Rembrant”, prof. Faton Aliu.
Kjo ekspozitë paraqet punimet e nxënësve nga mosha 5 deri në 16 vjet, duke reflektuar talentin, kreativitetin dhe përkushtimin e tyre në fusha të ndryshme të artit figurativ, si natyra e qetë, portreti dhe peizazhi. Përmes veprave të ekspozuara, vizitorët kanë mundësi të njihen me botën artistike dhe ndjeshmërinë estetike të të rinjve.
Ekspozitën e vizituan edhe nënkryetari i komunës, Fahri Restelica dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi – Azemi, të cilët vlerësuan angazhimin e të rinjve dhe rëndësinë e mbështetjes së aktiviteteve kulturore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ditët në vijim në Galerinë e Qytetit.
“Art Kolonia na Bashkon” është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.