Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Grupi Joformal i Grave Asambliste i kryesuar nga Luljeta Muçolli, realizoi disa vizita urimi për të shprehur respekt dhe vlerësim për gratë që me punën dhe angazhimin e tyre japin kontribut të rëndësishëm në shoqëri.
Aktiviteti filloi me vizitën tek Zyrtarja Komunale për Barazi Gjinore në Komunën e Podujevës, Naime Podvorica. Në vazhdim, asamblistet vizituan edhe Drejtoreshën e Qendrës për Punë Sociale, Makfirete Zeka, si dhe përfaqësueset e organizatave “Duart e Arta Llapjane” dhe “Forumi i Grave për Zhvillim”.
Gjatë këtyre takimeve, Grupi Joformal i Grave Asambliste uroi përzemërsisht 8 Marsin dhe shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe punën që këto gra dhe organizata realizojnë në fuqizimin e rolit të gruas. Po ashtu, ato theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe u zotuan se do të vazhdojnë të mbështesin iniciativa dhe politika që avancojnë pozitën e grave dhe promovojnë barazinë gjinore në shoqëri.