Poliklinikës Specialistike në Podujevë nga sot i janë shtuar edhe 15 shërbime të reja specialistike. Pacientët nga Podujeva tash e tutje do të mund të marrin shërbime specialistike në këtë Poliklinikë për kardiologji, hematologji, pulmologji, ortopedi, reumatologji, gastroenterologji, kirurgji abdominale, pediatri, endokrinologji, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare, neurologji, nefrologji, urologji dhe gjinekologji.
Në ceremoninë e funksionalizimit të këtyre shërbimeve mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ky është një investim shumë i rëndësishëm për Podujevën, pasi kjo Poliklinikë ka qenë nevojë e kahershme e qytetarëve të kësaj ane.
“Ky institucion shëndetësor tashmë është i gatshëm që të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët duke e shmangur nevojën për udhëtime në Prishtinë për çdo vizitë specialistike. Ne patëm kënaqësinë t’i shohim këto ambiente të reja me rregull, disiplinë, pastërti, ndriçim të përshtatshëm”, theksoi Kryeministri Kurti.
Edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, e quajti moment të gëzueshëm për të gjithë qytetarët funksionalizimin e këtyre shërbimeve specialistike.
“Sot i kemi edhe 15 shërbime të reja shtesë në Poliklinikën tonë, falë angazhimit të Qeverisë Kurti, Ministrit të Shëndetësië, Drejtorisë së Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Ky është moment i veçantë për të gjithë neve. Jemi shumë të kënaqur, e patë një ambient të jashtëzakonshëm me kushte të nivelit dhe standardit më bashkëkohor”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori shëndetësor i ShSKUK-së, Ardian Shefkiu, drejtorë e zyrtarë komunalë, staf mjekësor e qytetarë.
Në Poliklinikën Specialistike çdo ditë pune (nga e hëna në të premten – prej orës 08:00 deri në orën 14:00) do të punojnë nga katër ambulanca me mjekë specialistë me këtë orar:
E hënë – kardiologji, hematologji, pulmologji dhe ortopedi;
E martë – reumatologji, gastroenterologji, kirurgji abdominale dhe pediatri;
E mërkurë – endokrinologji, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare dhe neurologji;
E enjte – kardiologji, nefrologji, urologji dhe pediatri;
E premte – gjinekologji, endokrinologji, ortopedi dhe neurologji.
Në muajin gusht në këtë Poliklinikë është funksionalizuar edhe Reparti i Hemodializës. Investimi në këtë Poliklinikë është afro 2.5 milionë euro.