Sot, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik e Komunës së Podujevës ka realizuar shpërndarjen e pajisjeve për 33 përfituesit e thirrjes së dytë në kuadër të projektit “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve”. Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e start-up bizneseve, dhe fuqizimin e ndërmarrësve lokalë për nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, dhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu.
Nënkryetari Restelica, përgëzoi përfituesit duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme institucionale për zhvillimin e bizneseve lokale.
“I përgëzoj të gjithë përfituesit për punën dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht gratë sipërmarrëse që sot përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të këtij projekti. Angazhimi i tyre është shembull frymëzues për komunitetin tonë. Komuna do të vazhdojë të qëndrojë krah tyre, sepse zhvillimi i bizneseve vendore pa dallim është zhvillim i gjithë Podujevës”, theksoi Nënkryetari Restelica.