Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, në fshatin Llugë, u përurua shkolla e re “Ilir Konushefci”, një objekt modern dhe funksional, i ndërtuar me qëllim krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe personelin arsimor.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, zv.ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherit vëllai i heroit Ilir Konushevci, Arton Konushevci, zëvendësministra, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nënkryetari Fahri Restelica, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, si dhe nxënës e personel i shkollës.
Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se kjo shkollë përfaqëson një investim në të ardhmen e fëmijëve, por edhe një simbol të lidhjes së arsimit me historinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.
“Nga këto banka shkollore janë rritur dhe edukuar djem e vajza të cilët, në ditët më të vështira të historisë sonë, nuk qëndruan indiferentë ndaj fatit të vendit, por u vunë në shërbim të lirisë dhe së ardhmes së Kosovës. Prandaj, kjo shkollë që mban emrin e heroit Ilir Konushefci është edhe një kujtesë e përhershme për sakrificën dhe kontributin e tij për vendin”, tha kryetari Bulliqi.
Duke uruar nxënësit dhe personelin shkollor për fillimin e vitit të ri shkollor, Kryetari Bulliqi tha se hapja e kësaj shkolle krijon mundësi të reja për një proces më cilësor të mësimnxënies.
Në ceremoninë e përurimit fjalë rasti mbajti edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili vlerësoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për nxënësit.
“Gurthemelin e parë të këtij objekti të ri e kemi vendosur në vitin 2022, ndërsa sot, me fillimin e vitit të ri shkollor, po e përurojmë këtë shkollë me kushte moderne, me hapësira sportive dhe kabinete të pajisura. Sot kjo shkollë po i hap dyert për ata që e meritojnë më së shumti, për nxënësit. Uroj që ky vit shkollor të jetë i mbarë, i suksesshëm dhe plot arritje për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe familjet e tyre”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se investimi në shkolla dhe në infrastrukturën arsimore është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve që fëmijët të zhvillojnë potencialin e tyre.
Në ceremoninë e përurimit të shkollës, fjalën e mori edhe Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushefci dhe njëherit zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Konushevci shprehu kënaqësinë që shkolla që mban emrin e vëllait të tij sot po hap dyert për nxënësit e Llugës, duke e cilësuar këtë ditë si të veçantë për familjen Konushefci dhe gjithë banorët e kësaj ane.
Ai falënderoi institucionet për realizimin e këtij projekti dhe, në veçanti, Qeverinë e Republikës së Kosovës për investimin dhe ndërtimin e shkollës e cila do t’u shërbejë nxënësve të fshatit Llugë dhe brezave të ardhshëm.