Në ambientet e Shkollës “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan u mbajt dëgjimi publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026–2028, organizuar nga Komuna. Ky takim kishte për qëllim prezantimin e projeksioneve buxhetore për tri vitet e ardhshme dhe dëgjimin e kërkesave të qytetarëve për të plotësuar këtë dokument.
Në dëgjim publik morën pjesë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, dhe drejtoresha e Administratës, Valbona Ibishi. Drejtori Osmani e prezantoi detajisht Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028, duke shpjeguar projeksionet buxhetore dhe prioritetet për 3 vitet e ardhshme. Pas prezantimit, banorët e pranishëm patën mundësinë të parashtronin pyetje dhe të japin sugjerime për projekte në infrastrukturë, shërbime publike, arsim, shëndetësi dhe kulturë.
Drejtori Osmani i falënderoi të gjithë qytetarët e fshatit Orllan dhe rrethinës për pjesëmarrjen aktive në këtë dëgjim publik, duke theksuar se kontributi i tyre është i çmuar për pasurimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore dhe për sigurimin e një planifikimi buxhetor që reflekton nevojat dhe prioritetet e komunitetit.