Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, e ka pritur në takim Ministrin në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, me të cilin diskutuan për projektet që janë duke u realizuar në bashkëfinacim me këtë Ministri.
Kryetari Bulliqi e njoftoi Ministrin Çeku se tashmë kanë nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e pishinës gjysmëolimpike. Projekti përfshinë pishinën kryesore, pishinën për fëmijë dhe hapësirën e gastronomisë dhe realizohet në bashkëfinancim me këtë Ministri (3.5 milionë euro Ministria dhe 500 mijë euro Komuna).
“Kjo pishinë do të bëhet adresë e rëndësishme për sportistët dhe dashamirët e notit”, tha Kryetari Bulliqi.
Më pas, Kryetari i Komunës bashkë me Ministrin Çeku, Drejtoreshën për Kulturë, Vlora Humolli-Jashanica dhe zyrtarë tjerë vizituan punimet në objektin e Qendrës multifunksionale, që gjithashtu realizohet në bashkëfinancim me këtë Ministri.
“E falënderova Ministrin Çeku për bashkëpunimin e shkëlqyer për realizimin e këtyre projekteve me shumë rëndësi për komunitetin artistik, sportiv dhe rinor”, theksoi Bulliqi.
Qendra Multifunksionale ka një hapësirë rreth 1,450 metra katrorë dhe përfshinë amfiteatrin e vogël me kapacitet deri në 100 persona, 6 salla për takime dhe trajnime të ndryshme, zyret e administratës, terasën verore për aktivitete kulturore dhe do të jetë vendtakim si qendër rinore për të rinjtë dhe komunitetin artistik në qytetin e Podujevës.