Në shënimin e Ditës së Tokës, ngjarje kjo që për qëllim ka rritjen e ndërgjegjësimit në ruajtjen e mjedisit, Kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi, bashkë me Drejtorin për Arsim, Avni Fetahu, Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica dhe zyrtarë tjerë komunalë kanë mbjellë drunj e lule në Bulevardin e Qytetit.
Ata morën pjesë edhe në aktivitetin e organizuar nga stafi i shkollave “Naim Frashëri” dhe “Shaban Shala” në qytet, ku nxënësit po e shpalosnin talentin e tyre nëpërmjet pikturave, që si mesazh kishin ruatjen e tokës.
Kryetari Bulliqi i përgëzoi nxënësit për idetë kreative dhe mesazhin që përçonin pikturat e tyre për ruajtjen e mjedisit.
“Si institucione lokale kemi punuar vazhdimisht në shtimin dhe mirëmbjatjen e hapësirave të gjelbra dhe mbjelljen e drunjve, ndërsa vetëm këtë vit kemi filluar mbjelljen e 1,850 drunjve në pjesë të ndryshme të qytetit”, tha Kryetari Bulliqi.
Kryetari bëri thirrje që të ruhet mjedisi, pasi sjelljet e papërgjegjshme jo vetëm që dëmtojnë ambientin, por ndikojnë edhe në ngrohjen globale.