Në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, së bashkë me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së-së, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës e Policisë dhe drejtorë komunalë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë dhe te shtatoret e dëshmorëve në qytet.
“Përkujtojmë me respekt dhe mirënjohje të përjetshme sakrificën dhe heroizmin e atyre që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi e nderime familjes Jashari! Lavdi e nderime gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, tha Kryetari Bulliqi.
Në nderim të figurave tjera të rëndësishme të historisë, gjatë ditës janë vendosur buqeta lulesh edhe te shtatorja e ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.
Aktivitetet për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së që përkujton luftën dhe sakrificën e familjes Jashari kanë nisur më 5 mars.



