Dhjetëra veteranë të arsimit e mësimdhënës të dalluar janë nderuar me mirënjohje nga Komuna e Podujevës në shënimin e Ditës së Mësuesit.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili i ka ndarë këto mirënjohje, tha se në këtë ditë të rëndësishme kujtojnë sakrificën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e madh të mësimdhënësve ndër vite, të cilët kanë qenë dhe mbeten pishtarë të dijes dhe edukimit të brezave.
“Arsimi ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e zhvillimit të shoqërisë. Historia na ka treguar se edhe në kohët më të vështira, mësuesit shqiptarë nuk janë ndalur, por me guxim dhe përkushtim kanë mbajtur gjallë dritën e dijes. Ata kanë mësuar dhe edukuar gjenerata të tëra, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm si në kohë okupimi ashtu edhe në liri”.
Kryetari i Komunës theksoi se janë të përkushtuar që të rrisin cilësinë në arsimim duke investuar në infrastrukturën shkollore, në trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe në krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit.
Në këtë ceremoni të shënimit të 7 Marsit, mirënjohje post-mortem janë ndarë edhe për nëntë ish-mësimdhënës që ndërruan jetë prej 7 marsit të vitit të kaluar deri tash.
Gjatë këtij aktiviteti u interpretua një pikë muzikore nga dy nxënës të Shkollës “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan dhe një valle nga nxënësit e Shkollës “Xheladin Rekaliu” në qytet.



