Kuvendi Komunal i Podujevës ka mbajtur mbledhje solemne për të shënuar 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Përkujtimi i kësaj ngjarjeje që shënon edhe luftën dhe sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në Prekaz, ka nisur me intonimin e himnit kombëtar e atij shtetëror dhe me një minutë heshtje në nderim të të gjithë të rënëve për lirinë e vendit.
Kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, tha se Epopeja e UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
“Epopeja e UÇK-së nuk ishte vetëm një akt heroizmi i një familjeje, por një thirrje për të gjithë shqiptarët që të bashkoheshin në luftën për çlirimin e Kosovës. Qëndresa e familjes Jashari u bë simbol i sakrificës kombëtare dhe frymëzoi mijëra të rinj që t’i rrokin armët për të mbrojtur popullin e tyre nga gjenocidi serb”, theksoi Kryesuesi Hoxha.
Edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përjetësoi sakrificën, heroizmin dhe qëndresën e popullit tonë në përpjekjen e tij shekullore për liri dhe pavarësi.
“Data 5, 6 dhe 7 mars 1998 shënon ditët kur familja Jashari në Prekaz, me komandantin legjendar Adem Jashari në krye, qëndroi e pathyeshme përballë një makinerie shtypëse dhe barbare, duke vulosur përgjithmonë rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Kjo Epope nuk ishte vetëm një betejë, por një akt i jashtëzakonshëm i vetëflijimit për një ideal të lartë: çlirimin e atdheut nga pushtimi dhe shtypja”, tha Lahu.
Ajo theksoi se është detyrë e secilit që vlerat e luftës çlirimtare t’i mbrojë dhe t’i kultivojë.
“Sot, ndërsa përulemi me nderim dhe krenari përpara sakrificës së dëshmorëve, na takon të reflektojmë mbi përgjegjësinë që mbajmë për ta çuar përpara idealin e tyre. Ata dhanë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur, një Kosovë ku brezat e ardhshëm të jetojnë me dinjitet, me arsim cilësor dhe mirëqenie, në një shtet ku sundon ligji dhe ku çdo qytetar ndjen frymën e barazisë dhe drejtësisë”, tha Marigona Lahu.
Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe njëri nga ish-komandantët e UÇK-së, Muhamet Latifi, i cili ndër të tjera tha se lufta në Prekaz është mesazh se kur një kombi i mungon liria, atëherë nuk ka kuptim jeta dhe se “Epopeja në Prekaz e ka vrarë harresën”.
Aktivitetet për shënimin e datave 5, 6 dhe 7 mars vazhdojnë nesër me homazhe pranë shtatoreve në qytet dhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Penuhë.


