Kryetari Agim Veliu mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së Kontingjentit çek me bazë në Shajkoc
Sot në Shajkoc të Podujevës u bë ceremonia ushtarake e ndërrimit të Komandës së Kontingjentit çek që vepron në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.
Në këtë ceremoni mori pjesë kryetari i komunës së Podujevës z. Agim Veliu, ambasadorja e Republikës së Çekisë në Kosovë Janina Hrebickova, si dhe ushtarakë të shumtë të KFOR-it.
Kontigjenti i 15-të i deritashëm në krye me komandantin kolonel Jan Cifka i dorëzoi në mënyrë ceremoniale komandën kontingjentit të 16-të të udhëhequr nga koloneli Martin Kavalir.
Në këtë ceremoni rasti foli ambasadorja Hrebickova, e cila mes tjerash i falënderoi ushtarët e KFOR-it çek për kontributin që po e japin këtu në Kosovë në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës.
Më pas të dy komandantët u prononcuan para mediave. Komandanti i deritashëm kolonel Cifka tha se komunën e Podujevës po e lë në një situatë mjaftë të mirë të sigurisë. Ai shprehu përshtypjet e tij shumë të mira për këtë komunë, por edhe për tërë Kosovën. “Unë para ca ditësh kam takuar kryetarin e ri të komunës së Podujevës z. Agim Veliu, i cili më ka impresionuar, duke shprehur një gatishmëri të lartë për të bërë ndryshime të mëdha në funksion të zhvillimit dhe përparimit të komunës së Podujevës”, tha mes tjerash koloneli Cifka, duke vazhduar më tej për përshtypjet e tij ndaj Kosovës. “Gjatë kësaj kohe sa kam qëndruar në Kosovë kam vërejtur zhvillime pozitive, e në veçanti një rritje të standardit jetësor”, deklaroi në fund koloneli Cifka, ndërsa komandanti i ri kolonel Kavalir u shpreh i kënaqur nga përshtypjet e para këtu në Kosovë, duke parë objekte të mëdha dhe të reja, si dhe të tilla duke u ndërtuar. Kjo tregon se Kosova është duke u zhvilluar hovshëm. Unë sinqerisht po them se, edhe përkundër faktit që jam këtu për herë të parë, ndjenja është si me qenë në shtëpinë time. Prandaj edhe vullneti im për të punuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në asnjë moment nuk do të mungoj”, tha në fund kolonel Kavalir.
Në një takim pas ceremonisë që u zhvillua në objektin e kësaj komande, në të cilin kryetari Veliu u prit me një respekt të veçantë u bisedua për çështje të ndryshme ku ishte e pranishme edhe ambasadorja çeke Hrebickova, e cila më pastaj në një konferencë për medie tha se, Republika e Çekisë është e përkushtuar maksimalisht të ndihmoj Republikën e Kosovës, si në procesin e liberalizimit të vizave, po ashtu edhe në rrugëtimin e saj të shpejtë për në BE.
Zyra për Informim e komunës së Podujevës
Podujevë, 23.02. 2010 Sot në Shajkoc të Podujevës u bë ceremonia ushtarake e ndërrimit të Komandës së Kontingjentit çek që vepron në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.