
Në debat merrnin pjesë drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit Faik Muçiqi, zyrtari për ambient i Komunës Rizah Muçolli, menaxheri i kompanisë publike për largimin e mbeturinave “Pastrimi” Shaban Beselica, përfaqësues dhe aktivistë të “Ekovizionit”, përfaqësues të ATRC-së, të OJQ-ve tjera dhe zyrtarë komunal.
Fillimisht debatin e hapi kryetari i “Ekovizionit” Malësor Neziri i cili e konsideroi mjaftë të rëndësishëm këtë takim duke theksuar se këtu mund të njoftohemi më konkretisht për aktivitetet mjedisore që komuna është duke i realizuar. Neziri i ftoi pjesëmarrësit të dëgjojnë me vëmendje një ligjëratë të shkurtër lidhur me disa të dhëna për hapësirat e gjelbëruara, rëndësinë e mbjelljes së drunjtëve dekorativë, llojet e tyre, mbjelljen e luleve, si dhe për disa çështje të tjera që lidhen kryekëput me ambientin.
Më pas filloj ligjërimi, ku ekologu Muhamet Maloku nëpërmes të slajdeve të paraqitura në ekranin e bardhë arriti ti shpjegoj disa të dhëna të rëndësishme për pjesëmarrësit, duke e përmbyllur me moton “Mendo lokalisht, vepro globalisht”.
Drejtori Muçiqi i informoi të pranishmit lidhur me projektet mjedisore që është Komuna duke i realizuar dhe ato që do të realizohen.

Ndërkaq Muçolli tha se komuna e Podujevës ka arritur ta përmirësoj gjendjen e mjedisit dukshëm, ku vetëm këtë vit janë realizuar një sërë aktivitete. Ai përmendi hapësirën që është në ndërtim e sipër prapa ndërtesave kolektive afër lumit Llap në qendër të qytetit, hapësirat para SHMT “Fan Noli”, duke thënë se së shpejti do të fillojnë punimet në rregullimin e shtratit të lumit Llap në qendër të qytetit, në parkun e qytetit, si dhe këtë vit është e planifikuar të rregullohen hapësirat afër SHME “Isa Boletini”.
Gjatë këtij debati u bisedua edhe për format e vetëdijesimit të qytetarëve në ruajtjen e mjedisit, aplikimin e gjobave për ndotësit e ambientit, problemet rreth largimit të mbeturinave, si dhe për çështje tjera me rëndësi në këtë fushë.
Debat për ambientin me moton “Mendo lokalisht, vepro globalisht”