Grupi i Grave Asambleiste të Kuvendit Komunal të Podujevës, së bashku me zyrtaren për Barazi Gjinore, Naime Podvorica, realizuan sot vizitën e radhës në Qendrën e Shëndetit Mendor.
Gjatë vizitës, gratë asambleiste u informuan nga afër për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen përfituesit e shërbimeve të kësaj qendre, si dhe për nevojat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Ato dëgjuan me vëmendje përvojat e përfituesve dhe u njohën me çështjet që kërkojnë vëmendje dhe trajtim nga institucionet përgjegjëse.
Pas vizitës, çështjet dhe kërkesat e ngritura u diskutuan edhe në një takim me nënkryetarin e Komunës, Fahri Restelica, me ç’rast u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional për adresimin e tyre. Grupi i Grave Asambleiste do të angazhohet që këto shqetësime dhe kërkesa t’i përcjellë dhe adresojë te organet dhe institucionet kompetente, në mënyrë që ato të trajtohen nga autoritetet përgjegjëse.



