Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës mbajti mbledhjen e pestë të radhës, të kryesuar nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, ku u shqyrtuan çështje që lidhen me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunë, sigurinë në komunikacion dhe trajtimin e qenve endacakë.
Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bashkim Bajrami, prezantoi informatën e Policisë së Kosovës për gjendjen e sigurisë në komunë, duke bërë të ditur se gjendja e përgjithshme e sigurisë vlerësohet e mirë. Gjatë periudhës raportuese shtator–tetor 2026 janë evidentuar gjithsej 128 raste, prej të cilave 125 vepra penale dhe 3 incidente. Ndër rastet e evidentuara janë 12 vjedhje, 6 raste të dhunës në familje, 10 raste me narkotikë dhe 17 raste me armë zjarri, ndërsa janë konfiskuar 9 armë zjarri.
Edhe përfaqësuesja e KFOR-it, kapitenja Csilla Egyed, e vlerësoi gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës si të qetë dhe stabile, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në ruajtjen e sigurisë.
Informatën për sigurinë në komunikacion dhe trajtimin e qenve endacakë e prezantoi komandanti Bashkim Bajrami, i cili bëri të ditur se gjatë periudhës raportuese janë shqiptuar 2,375 gjoba në trafik, prej tyre 1,629 për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa janë evidentuar 59 aksidente me dëme materiale dhe 10 aksidente me persona të lënduar. Sa i përket qenve endacakë, ai informoi për një rast të sulmit ndaj një qytetari në afërsi të shkollës së mesme “Aleksandër Xhuvani”, për të cilin Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me institucionet përgjegjëse.
Pas prezantimit të komandantit, informatë paraqiti edhe përfaqësuesi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Afrim Mulliqi, i cili prezantoi punimet e realizuara në kuadër të projektit për shënjezimin horizontal dhe vertikal të rrugëve, me vlerë kontraktuale prej 200 mijë eurosh. Ai bëri të ditur se në kuadër të këtij projekti janë realizuar shënjezimi i rrugëve, vendkalimeve për këmbësorë dhe parkingjeve, si dhe janë vendosur shenja të komunikacionit, 59 pasqyra rrugore dhe 107 pajisje për ngadalësimin e shpejtësisë, me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Lidhur me këto çështje, anëtarët e KKSB-së zhvilluan diskutime, parashtruan pyetje dhe dhanë sugjerime për përmirësimin e mëtejmë të sigurisë në komunë.
Gjatë kësaj mbledhjeje u formuan edhe grupet punuese për përgatitjen e Planit të Punës së KKSB-së për vitin 2027 dhe të informatës për punën e KKSB-së për vitin 2026.
Në pikën “Të ndryshme” u trajtuan edhe çështje të tjera të ngritura nga anëtarët e Këshillit.





