Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për projektin e zhvillimit të eko-parqeve industriale.
Përmes këtij projekti, nga i cili pritet të përfitojë edhe Komuna e Podujevës, synohet avancimi i infrastrukturës industriale, krijimi i kushteve më të mira për biznese, tërheqja e investimeve të reja dhe ndikimit më të vogël në mjedis nëpërmjet përdorimit të energjisë së ripërtritshme, zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve për ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian dhe përfaqësues tjerë të institucioneve dhe sektorit privat. Ndërsa, nga Komuna e Podujevës mori pjesë nënkryetari, Fahri Restelica.




