Komuna e Podujevës dhe The Foundation House nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për realizimin e projektit “From Green Skills to Jobs: Youth Employability in Kosovo”, i cili synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të aftësive të gjelbra, teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale (AI).
Memorandumi u nënshkrua nga nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica dhe drejtoresha ekzekutive e The Foundation House, Abetare Gojani. Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi.
Përmes këtij projekti, 20 të rinj të moshës 18–29 vjeç nga Podujeva do të kenë mundësi të përfshihen në trajnime praktike nëpërmjet një hackathon katërditor dhe një procesi tremujor të mentorimit, me qëllim të zhvillimit të ideve dhe zgjidhjeve inovative për sfidat mjedisore në komunën tonë.
Në kuadër të projektit do të identifikohen katër sfida mjedisore lokale, ndërsa tri ekipet më të suksesshme do të përfitojnë mbështetje financiare për zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre. Gjithashtu, synohet krijimi i tri prototipeve ose iniciativave të gjelbra për adresimin e këtyre sfidave.
Aktivitetet në Komunën e Podujevës do të zhvillohen nga nëntori i vitit 2026 deri në shtator të vitit 2027.
Vendi i parë do të shpërblehet me 1 mijë euro, ndërsa vendet e dyta dhe të treta me nga 300 euro.
Përmes këtij bashkëpunimi, Komuna e Podujevës vazhdon të krijojë mundësi të reja për të rinjtë, duke investuar në aftësimin profesional, punësimin dhe nxitjen e inovacionit në funksion të një mjedisi më të qëndrueshëm.


