Komiteti për Komunitete i Kuvendit të Komunës së Podujevës mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryesuesi i Komitetit, Xhafer Ademi.
Në fillim të mbledhjes u miratua procesverbali nga mbledhja e mbajtur më 18 shtator 2026, ndërsa më pas anëtarët vazhduan me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.
Drejtori i drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, informoi anëtarët e Komitetit lidhur me projektet e zhvilluara në shërbim të qytetarëve, me theks të veçantë në vendbanimet ku jetojnë komunitetet joshumicë, si dhe për realizimin e projekteve dhe përfshirjen e kërkesave të tyre në planifikimet e ardhshme.
Në vazhdim, kryesuesi Ademi raportoi për vizitat e realizuara në shkollat fillore “Shaban Shala”, “Naim Frashëri” dhe “Ibrahim Rugova”, ku u diskutua për procesin mësimor dhe përfshirjen e nxënësve të komuniteteve joshumicë. Ai përmendi edhe shpërndarjen e veshjeve sportive për fëmijët e këtyre shkollave dhe të Lagjes së Komuniteteve, aktivitet i realizuar në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Grupit Joformal të Grave Asambleiste. Ademi theksoi se kjo ndihmë, ndonëse modeste, synon t’i mbështesë fëmijët dhe të kontribuojë që ata të ndihen të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre.
Mbledhja përfundoi me diskutime rreth çështjeve të tjera që lidhen me mirëqenien dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve joshumicë në Komunën e Podujevës.