Ditëve të fundit, Komuna e Podujevës është përballur me raportime dhe kritika mediatike lidhur me kontratën për furnizimin me pelet të institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, po paraqesim faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë çështje.
Më 12.09.2025, Komuna e Podujevës ka lidhur kontratë trevjeçare për furnizimin me pelet, në vlerë prej 263.900 eurosh. Sipas kushteve të kontratës, çmimi për një ton pelet ishte 203 euro.
Disa javë më vonë, si pasojë e zhvillimeve në tregjet globale, çmimi i peletit pësoi rritje të ndjeshme, duke iu afruar dyfishimit të çmimit të përcaktuar në kontratë. Pavarësisht kësaj, operatori ekonomik vazhdoi furnizimin sipas kushteve kontraktuale, me çmim prej 203 eurosh për ton, ndonëse çmimi në treg kishte arritur afërsisht në 400 euro për ton.
Më 08.09.2026, menaxheri i kontratës ka kërkuar zyrtarisht ndërprerjen e saj, me arsyetimin se operatori ekonomik nuk po arrinte të vazhdonte furnizimin për shkak të humbjeve të shkaktuara nga rritja e ndjeshme e çmimit të peletit në treg.
Pas evidentimit të kësaj situate, Komuna e Podujevës ka ndërmarrë menjëherë veprimet për ndërprerjen e kontratës dhe ka iniciuar procedurat për konfiskimin e sigurisë së ekzekutimit të kontratës, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe buxhetit komunal.
Pas përfundimit të procedurave përkatëse, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për sigurimin e furnizimit me pelet, duke pasur parasysh domosdoshmërinë e vazhdimit të funksionimit të institucioneve publike dhe afrimin e sezonit të ngrohjes.
Procedura e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë është zhvilluar në mbështetje të nenit 35, paragrafit 2, nënparagrafit 2.1 (iii), të Ligjit për Prokurimin Publik nr. 04/L-042, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet përkatëse.
Kjo procedurë është vlerësuar e domosdoshme për shkak të rrethanave emergjente dhe objektivisht të paparashikueshme, të krijuara pas ndërprerjes së kontratës paraprake si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve nga operatori ekonomik. Fillimi i sezonit të ngrohjes dhe nevoja për të garantuar funksionimin e institucioneve edukativo-arsimore, përfshirë kopshtet dhe çerdhet, si dhe të institucioneve shëndetësore, kanë kërkuar sigurimin e furnizimit brenda një afati të shkurtër kohor.
Në këto rrethana, zhvillimi i një procedure të hapur apo të përshpejtuar nuk do të mundësonte përfundimin e procesit brenda afateve të nevojshme për të garantuar furnizimin me pelet, pasi sezoni i ngrohjes tashmë kishte filluar.
Furnizimi me pelet përfshin të gjitha shkollat e Komunës së Podujevës, si dhe institucionet shëndetësore që ofrojnë shërbime 24 orë. Ky proces kërkon shpërndarje të vazhdueshme në të gjitha pikat e territorit të komunës dhe shoqërohet me kosto shtesë logjistike. Duhet theksuar se Podujeva është komuna me territorin më të madh në Republikën e Kosovës.
Komuna e Podujevës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së interesit publik. Çdo vendim i marrë në këtë proces ka për qëllim garantimin e furnizimit të rregullt të institucioneve publike dhe vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët.
Për këtë arsye, vlerësojmë se raportimi për çështje me interes publik duhet të mbështetet në fakte, dokumentacion dhe pasqyrim të plotë të rrethanave, në mënyrë që qytetarët të kenë informacion të saktë dhe të paanshëm.