Është përmbyllur projekti “Avancimi i Përfshirjes së Grave të Kosovës në Agrobiznes”-AKWA, i cili është realizuar bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Organizatës CARE Ballkan.
Në takimin përmbyllës që u mbajt sot në sallën e Kuvendit Komunal, u nënshkruan kontratat me anë të së cilave pronësia e pajisjeve dhe serrave që janë dhënë në kuadër të këtij projekti ka kaluar nga Organizata CARE Ballkan te gratë përfituese të granteve.
Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Behram Latifi, i cili falënderoi përfaqësuesit e Organizatës CARE për bashkëpunimin dhe po ashtu gratë pjesëmarrëse në këtë projekt. Ai tha se Komuna do të vazhdojë t’i mbështes të gjithë fermerët, sidomos gratë fermerë.
Edhe drejtori i Organizatës CARE, Egzon Gërxhaliu, tha se bashkëpunimi me Komunën e Podujevës ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai i falënderoi edhe gratë për bashkëpunimin e deritashëm dhe premtoi se këtë bashkëpunim do ta vazhdojnë edhe në të ardhmen me grante edhe më të mëdha sesa në projektin e parë.
Projekti AKWA ndërmjet Komunës së Podujevës dhe CARE Ballkan ka filluar në janar të vitit 2025 dhe përfundon këtë muaj. Gjatë këtyre 2 vjetëve sa ka zgjatur ky projekt, kanë përfituar 35 gra të zonave rurale të Podujevës, serra, motokultivatorë me frezë, makina mjelëse. Vlera e granteve ka qenë nga 800 deri në 1000 euro, financim nga Komuna dhe Organizata CARE.
Ndërsa, në kuadër të grantit të dytë janë mbajtur edhe trajnime të ndryshme për gra, si menaxhim, marketing, brendim-logo, etj.
Bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Organizatës CARE do të vazhdojë edhe në të ardhmen.