Komiteti për Komunitete i Kuvendit të Komunës së Podujevës mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryesuesi i Komitetit, Xhafer Ademi.
Në fillim të mbledhjes u miratua procesverbali nga mbledhja inauguruese e mbajtur më 18 gusht 2026, ndërsa më pas anëtarët vazhduan me trajtimin e pikave të tjera të rendit të ditës. Sipas rendit të ditës, u trajtua informata nga Drejtoria e Arsimit rreth fillimit të vitit shkollor 2026/27, me theks të veçantë në regjistrimin e nxënësve të komuniteteve joshumicë, sfidat dhe vështirësitë.
Zyrtari nga Drejtoria e Arsimit, Ardian Emini paraqiti informatë lidhur me gjendjen dhe ecurinë e procesit mësimor, duke bërë të ditur se të gjithë fëmijët e komuniteteve joshumicë janë të përfshirë në procesin arsimor dhe vijojnë shkollimin fillor dhe të mesëm.
Gjithashtu, ai informoi për hapjen e Qendrës së Autizmit në Shkollën e Mesme të Ulët “Ibrahim Rugova”, si dhe për angazhimin e gjashtë asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët janë angazhuar si staf mbështetës në procesin mësimor.
Në vazhdim të mbledhjes u trajtua informata e Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim lidhur me vazhdimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), i financuar nga programi i Bashkimit Evropian për mbështetjen e bizneseve të vogla në kuadër të komponentës për stabilizimin e komuniteteve joshumicë. Kjo çështje ishte pjesë e pikës së tretë të rendit të ditës së Komitetit.
Në kuadër të pikës “Të ndryshme”, anëtarët e Komitetit diskutuan çështje të tjera që lidhen me komunitetet dhe nevojat e tyre, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit institucional dhe trajtimit të çështjeve me interes për komunitetet në Komunën e Podujevës.