Komuna e Podujevës në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së shënuan sot përvjetorin e 28-të të njërës prej betejave të para frontale ndërmjet ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe ushtrisë e policisë serbe.
Aktivitetet në shënimin e përvjetorit të Betejës së Kaçandollit filluan me homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Llapit në fshatin Penuhë, ku mori pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica, kryesuesi i Kuvendit, Isak Ejupi, ish-komandantë e veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, deputetë e zyrtarë tjerë nga niveli lokal e qendror dhe qytetarë.
Ndërsa, manifestimi qendror u mbajt pranë lapidarit të dëshmorëve në fshatin Kaçandoll.
Me këtë rast, kryetari Shpejtim Bulliqi, tha se kjo Betejë është vazhdimësi e përpjekjeve për t’u çliruar nga robërimi shekullor.
“Në këto male e këto troje, u dëshmua edhe një herë se populli ynë nuk u dorëzua kurrë, por përballë çdo pushtuesi zgjodhi rezistencën dhe lirinë.
Në ato tri ditë të Betejës së lavdishme të shtatorit të vitit 1998, ushtarët e UÇK-së luftuan ballë për ballë me armikun. Ata zgjodhën vdekjen për liri para jetës së robëruar. Dhe duke rënë heroikisht, u ngritën për të mos vdekur kurrë 7 dëshmorë të kombit tonë: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Naim Zhegrova, Fadil Sejdiu, Habib Zeka, Islam Rekaliu dhe Selim Rekaliu”, theksoi Bulliqi.
Ai shtoi se emrat e tyre janë të gdhendur përjetësisht në kujtesën e popullit tonë.
“Ky vend, i larë me gjakun e dëshmorëve, mbetet udhërrëfyes për ne që të mos harrojmë asnjëherë sakrificën, por edhe të punojmë çdo ditë për ta bërë realitet ëndrrën e tyre, një Kosovë të zhvilluar, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Për ne, nderimi më i madh për dëshmorët është përkushtimi për punë, drejtësi dhe dinjitet kombëtar”.
Ndërkohë, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, theksoi se kur armiku propagandonte se po e shembte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, djemtë e Shalës, Llapit e të Gollakut u ngritën dhe korrën fitoren e madhe në Betejën e Kaçandollit.
“Të gjithë ata që janë mundua t’i ngrenë kurthe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë vetë në to. Në po përballemi me kurthin më të madhe në Gjykatën Speciale kundër ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër shtetit të Kosovës. Ne po presim me gëzim, me padurim, nesër vendimin për shpalljen e pafajshme të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëheqësve të luftës”, tha Mustafa.
Ndërsa, kryetari i degës së OVL të UÇK-së, në Podujevë, Rafet Llapashtica, theksoi se liria nuk erdhi nga vasalët, por nga luftëtarët e UÇK-së, siç janë dëshmorët e Betejës së Kaçandollit.
“Për këtë sot kemi ardhur këtu që ta kujtojmë çmimin e lirisë. Në këto bjeshkë të Llapit e Shalës, më 15 shtator 1998, Zona Operative e Llapit u përball me betejën e parë frontale me ushtrinë dhe policinë kriminale të shtetit të Serbisë. Nën drejtimin e udhëheqësve tanë të Zonës dhe me luftën heroike të ushtarëve Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ajo e cila e theu krenarinë dhe mitin e Serbisë në këtë Betejë dhe e ktheu këtë krenari të populli jonë përmes luftës së pandalshme disaditore dhe me jetë të dhëna”.
Manifestimi qendror u përmbyll me disa këngë kushtuar dëshmorëve të Betejës së Kaçandollit.