Grupi Joformal i Grave Asambliste në Kuvendin Komunal të Podujevës sot realizoi një vizitë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT-KRCT).
Qëllimi i këtij takimi ishte informimi, identifikimi dhe referimi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rëndësinë e fuqizimit të të mbijetuarave, qasjen në shërbime dhe mbështetjen institucionale, si dhe për rolin e grave asambleiste në rritjen e ndërgjegjësimit dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt e mbështetës për të mbijetuarat.
Po ashtu u theksua se fuqizimi, informimi dhe mbështetja janë hapa të rëndësishëm drejt drejtësisë, dinjitetit dhe përfshirjes së plotë të të mbijetuarave në shoqëri.