Sot, është vendosur gurthemeli i Palestrës Multisportive, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve moderne për sportistët, klubet sportive dhe të rinjtë e komunës.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministra, Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi, si dhe bashkëpunëtorë e përfaqësues të institucioneve.
Duke e vlerësuar këtë projekt si një investim me rëndësi për Podujevën dhe jo vetëm, Kryeministri Albin Kurti theksoi se investimet në infrastrukturën sportive krijojnë mundësi më të mira për të rinjtë dhe për zhvillimin e sportit në vend.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se vendosja e gurthemelit shënon fillimin e një prej projekteve më të rëndësishme sportive për qytetin.
“Ky është një investim që i shërben sportistëve, të rinjve dhe gjithë qytetarëve të Podujevës. Palestra e re do të krijojë kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe do të jetë një aset i rëndësishëm për komunën tonë”, u shpreh Kryetari Bulliqi.
Palestra Multisportive do të ketë një vlerë prej 4.8 milionë eurosh, ndërsa projekti do të bashkëfinancohet nga Ministria e Sportit dhe Komuna e Podujevës. Objekti do të ketë kapacitet prej 2,500 ulësesh dhe do të ofrojë hapësira bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve dhe garave të ndryshme sportive.
Ky projekt është gjithashtu pjesë e investimeve të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku Podujeva do të jetë një nga qytetet nikoqire.