Komuna e Podujevës ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve publike në kuadër të procesit të hartimit të Projekt-Buxhetit për vitin 2027.
Në kuadër të këtij procesi janë zhvilluar gjithsej gjashtë dëgjime publike, nga shtatë të planifikuara, të organizuara në lokalitete të ndryshme të Komunës së Podujevës, përfshirë fshatra dhe qytetin. Dëgjimi i fundit u mbajt sot në sallën e Kuvendit të Komunës.
Në këtë dëgjim morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnore Uka-Osmani, zyrtarë komunalë, asamblistë dhe qytetarë.
Dëgjimin publik e hapi nënkryetari Fahri Restelica, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit komunal. Ai u shpreh se kërkesat, propozimet dhe sugjerimet e qytetarëve janë një bazë e rëndësishme për përcaktimin e prioriteteve dhe orientimin e investimeve publike sipas nevojave të komunitetit.
Nënkryetari Restelica njoftoi të pranishmit se Komuna tashmë ka filluar trajtimin e disa prej kërkesave të paraqitura gjatë dëgjimeve publike, të cilat kanë pasur mundësi të adresohen nga drejtoritë përkatëse. Ai theksoi se edhe kërkesat e tjera do të shqyrtohen në bashkëpunim me grupin punues dhe drejtoritë komunale, në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet buxhetore.
Ndërkaq, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnore Uka-Osmani, prezantoi Qarkoren e Dytë Buxhetore dhe orientimet kryesore për hartimin e Projekt-Buxhetit të vitit 2027, duke sqaruar linjat dhe kategoritë buxhetore të përcaktuara për planifikimin financiar të komunës.
Gjatë dëgjimit publik, asamblistët dhe qytetarët paraqitën kërkesa, propozime dhe sugjerime të ndryshme, të cilat ndërlidheshin kryesisht me infrastrukturën, shërbimet publike, arsimin, investimet në fusha sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive, si dhe çështje të tjera që u vlerësuan me rëndësi për përmirësimin e kushteve dhe mirëqenies së qytetarëve.
Nënkryetari Restelica falënderoi qytetarët dhe asamblistët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë proces, duke theksuar se Komuna do t’i shqyrtojë me kujdes të gjitha kërkesat e paraqitura.
Të gjitha kërkesat, propozimet dhe sugjerimet e paraqitura gjatë gjashtë dëgjimeve publike janë evidentuar dhe regjistruar në procesverbale. Ato do të përfshihen në raportin përfundimtar të ciklit të dëgjimeve publike, i cili do të publikohet së bashku me përgjigjet përkatëse lidhur me adresimin e secilës kërkesë në Projekt-Buxhetin e vitit 2027.