Komuna e Podujevës ka filluar ciklin e dëgjimeve publike për hartimin e Projekt-Buxhetit për vitin 2027, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve dhe planifikimin e investimeve komunale. Dëgjimi i parë publik është mbajtur dje në fshatin Kërpimeh, me banorët e këtij fshati dhe të fshatrave përreth.
Në dëgjim morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka-Osmani, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ahmet Ahmeti, zyrtarë komunalë dhe anëtarë të Kuvendit të Komunës.
Takimin e hapi nënkryetari Restelica, i cili foli për rëndësinë e dëgjimeve publike dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit. Ai theksoi se kërkesat dhe propozimet e qytetarëve janë të rëndësishme për identifikimin e nevojave dhe përcaktimin e prioriteteve për investimet e ardhshme të Komunës.
Në vazhdim, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnore Uka-Osmani, prezantoi Qarkoren e Dytë Buxhetore, duke paraqitur planifikimet kryesore të project-buxhetit për vitin 2027. Pas prezantimit, qytetarët parashtruan pyetje, kërkesa dhe sugjerime lidhur me nevojat e lokaliteteve të tyre, për të cilat diskutuan së bashku me përfaqësuesit komunalë.
Komuna e Podujevës ka planifikuar gjithsej shtatë dëgjime publike për Projekt-Buxhetin e vitit 2027, të cilat do të vazhdojnë të mbahen gjatë ditëve në vijim në lokalitete të ndryshme të komunës.
Ftojmë qytetarët të marrin pjesë në dëgjimet publike dhe të paraqesin kërkesat, propozimet dhe prioritetet e tyre, në mënyrë që të jenë pjesë aktive e procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2027 dhe që nevojat e komunitetit të reflektohen sa më mirë në planifikimet buxhetore.