Sot në fshatin Livadicë është vënë gurthemeli i Zonës Industriale, një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Komunës së Podujevës, me vlerë investimi prej 3.1 milionë euro.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari-Lila, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues të bizneseve dhe qytetarë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset, ndërsa ministrja Kusari foli për mbështetjen institucionale dhe rëndësinë që Zona Industriale do të ketë në nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e ndërmarrësisë.
Kryetari Bulliqi tha se fillimi i punimeve shënon realizimin e një projekti të shumëpritur për Podujevën, duke theksuar se pozita e favorshme e zonës, pranë magjistrales Prishtinë–Podujevë dhe afërsia me Shkollën e Kompetencës, krijojnë kushte të mira për zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Zona Industriale do të jetë shtëpi për biznese të cilat duan të investojnë, do t’iu krijojë hapësirë dhe infrastrukturë të përshtatshme bizneseve, do të nxisë investimet dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Komunës së Podujevës.
Kryetari Bulliqi falenderoi kryeministrin Kurti dhe ministren Kusari për mbështetjen e vazhdushme dhe angazhimin në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm ekonomik.