Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, priti në takim Komandantin e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it (Regional Command-East – RC-E), kolonelin amerikan Sam Sargeant, me të cilin diskutoi për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin institucional.
Gjatë takimit u bë e ditur se, duke filluar nga java e ardhshme, pjesëtarët e Policisë Kufitare që patrullojnë përgjatë vijës kufitare me Serbinë do të mbështeten dhe trajnohen nga pjesëtarët e KFOR-it amerikan. Kjo mbështetje paraqet rëndësi të veçantë për Komunën e Podujevës, duke marrë parasysh shtrirjen e gjatë të vijës kufitare të komunës me Serbinë.
Kryetari Bulliqi falënderoi kolonelin Sargeant dhe KFOR-in amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës, si dhe për gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të Komunës së Podujevës dhe institucioneve përgjegjëse në fushën e sigurisë.