Kuvendi i Komunës së Podujevës sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani. Në mbledhje morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica, drejtorët e drejtorive komunale, anëtarët e Kuvendit, përfaqësues të OSBE-së dhe mediat.
Para fillimit të shqyrtimit të pikave të rendit të ditës, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, propozoi plotësimin e rendit të ditës me pikën “Vendim për themelimin e Komisionit Statutar për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës”, propozim i cili u përkrah në mënyrë unanime nga anëtarët e Kuvendit dhe u përfshi në rend të ditës si pika e shtatë.
Po ashtu, shefi i Grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, propozoi që rendit të ditës t’i shtohet edhe pika “Informatë mbi gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Podujevës”. Të njëjtin propozim e paraqiti edhe shefi i Grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besim Latifi, i cili kërkoi që në rend të ditës të përfshihet një informatë e detajuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike lidhur me gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në komunë.
Ndërkaq, anëtari i Kuvendit, Ekrem Rrahmani, propozoi shtimin në rend të ditës të pikës “Propozim për riemërtimin nga pronë shoqërore në pronë komunale të parcelës P-RR.536-0, me sipërfaqe 12,953 m²”. Të gjitha këto propozime u përkrahën nga anëtarët e Kuvendit dhe u përfshinë në rendin e ditës
Gjatë kësaj mbledhje u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës:
1. Procesverbalet nga mbledhjet e Kuvendit të Komunës të mbajtura më 28.05.2026 – e vazhduar dhe e përfunduar më 29.06.2026, si dhe mbledhja solemne e mbajtur më 19.06.2026;
2. Raportim i Kryetarit të Komunës lidhur me realizimin e projekteve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026; (Raport të cilën e prezantoi kryetari Bulliqi për gjitha drejtoritë komunale, e ku pastaj u ngritën pyetje, u dhanë komente dhe u diskutua nga anëtarët e kuvendit dhe kryetari Bulliqi)
3. Raportin Financiar të Komunës së Podujevës për periudhën janar–qershor 2026; (e prezantoi drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka- Osmani, ku gjithashtu u ngritën pyetje, komente dhe diskutime nga anëtarët e në të cilat iu dha përgjigje drejtoresha Uka-Osmani.
4. Raportin e monitorimit të kontratave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës për periudhën janar–qershor 2026;
5. Propozim-vendimin për shpalljen në interes të përgjithshëm publik të njësisë kadastrale P-71712062-00244-4, me sipërfaqe 495 m², Zona Kadastrale Podujevë, me qëllim të realizimit të projektit “Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale”;
6. Planin Komunal për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve në Komunën e Podujevës 2026–2028;
7. Vendimin për themelimin e Komisionit Statutar për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës;
8. Informatë mbi gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Podujevës;
9. Propozim për riemërtimin nga pronë shoqërore në pronë komunale të parcelës P-RR.536-0, me sipërfaqe 12,953 m².