Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Platformës E-Shneta, Fidan Kalaja, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për digjitalizimin e menaxhimit të barnave esenciale në institucionet publike shëndetësore në Komunën e Podujevës.
Ky sistem i ri, sipas kryetarit Bulliqi, do të mundësojë monitorim më të lehtë të barnave, rritje të transparencës dhe informim më të shpejtë për qytetarët mbi disponueshmërinë e tyre.
“Po vazhdojmë punën për modernizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë”, tha kryetari Bulliqi.
Në kuadër të këtij memorandumi, përmes platformës E-Shneta do të zhvillohet dhe zbatohet një modul i dedikuar që:
a) Regjistron dhe përditëson në kohë reale barnat nga lista esenciale;
b) Mundëson integrim funksional me institucionet shëndetësore publike në të gjitha nivelet e kujdesit;
c) Siguron transparencë mbi disponueshmërinë e barnave për përdoruesit e autorizuar;
d) U mundëson qytetarëve verifikimin e disponueshmërisë së barnave përmes platformës digjitale;
e) Panel strategjik për Komunën e Podujevës që do të thotë vendosja në funksion e një paneli të avancuar analitik, i cili i mundëson Komunës monitorim të plotë të përdorimit të barnave, identifikim të trendeve dhe planifikim proaktiv të proceseve të prokurimit dhe tenderimit, bazuar në të dhëna të sakta dhe në kohë reale. Ky nivel i qasjes do të jetë i rezervuar ekskluzivisht për Komunën e Podujevës.
Bazuar në këtë memorandum, Komuna e Podujevës i siguron Subjektit Zbatues qasje të kufizuar dhe të kontrolluar vetëm në listën e barnave esenciale, për qëllime të zhvillimit, testimit dhe zbatimit të modulit në kuadër të platformës E-Shneta, por jo edhe në të dhëna të tjera sensitive.
Pas përfundimit të periudhës së zbatimit (pas tre vjetësh) moduli i zhvilluar do t’i transferohet në pronësi të plotë Komunës së Podujevës.