Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, priti në takim ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Gjatë këtij takimi, kryetari Bulliqi dhe ministrja Kusari-Lila nënshkruan një marrëveshje për realizimin e projektit të parkut industrial në Livadicë të Podujevës, në vlerë prej 3,118,295.56 euro.
Kryetari Bulliqi tha se projekti ka hyrë në fazën e zbatimit dhe se shumë shpejt do të nisin punimet për realizimin e tij.
“Projekti i Zonës Ekonomike do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mundësive për investime. Falënderoj ministren për gatishmërinë për nisjen e këtij projekti kaq të madh për Podujevën!”, theksoi Bulliqi.
Komuna e Podujevës e ka siguruar tokën dhe e ka përfunduar studimin e fizibilitetit, ndërsa pjesën tjetër prej më shumë se 3.1 milionë eurove e financon Ministria.
Ministrja Kusari-Lila tha se ky park industrial është investim në prodhimin vendor, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në forcimin e ekonomisë së Kosovës.
“Ai do të ndërtohet sipas parimeve të tranzicionit të gjelbër, në harmoni të plotë me mbrojtjen e mjedisit dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke krijuar kushte që bizneset tona të kenë qasje më të lehtë në fondet evropiane”, theksoi ajo.