Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëheqi kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani. Në mbledhje morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica, drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të KFOR-it dhe media.
Fillimisht u bë vazhdimi i mbledhjes së datës 28 maj, ku u trajtuan dy pika të rendit të ditës: “Informata e Drejtorisë së Arsimit lidhur me ndarjen e bursave për studentë për vitin akademik 2025/2026” dhe pika “Të ndryshme”. Me këtë rast, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, njoftoi anëtarët e Kuvendit se ka kërkuar nga auditori i komunës që të hartojë raport lidhur me auditimin që do t’i bëhet listës së përfituesve të bursave për vitin akademik 2025/2026. Ai bëri të ditur se ky raport do të prezantohet para asamblistëve në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit. Ky propozim u mbështet nga anëtarët e Kuvendit. Në kuadër të pikës “Të ndryshme”, anëtarët e Kuvendit parashtruan pyetje dhe adresuan çështje të ndryshme te anëtarët e ekzekutivit, për të cilat morën përgjigje përkatëse. Me këtë u përmbyll mbledhja e kaluar dhe vazhdoi mbledhja e rregullt.
Para fillimit të shqyrtimit të rendit të ditës, kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani, propozoi përfshirjen e një pike shtesë në rend dite:
Rishqyrtim për anulim të vendimit për dhënie në shfrytzim afatgjatë Shërbimit Spitalor Kirurgjik Universitar të Kosovës – ish objektin e emergjencës së qytetit, për shkak që në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit të pranuar, është konstatuar se nuk ka përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo për arsye se parcela në të cilën ndodhet objekti që është dhënë në shfrytëzim afatgjatë nuk është pronë e Komunës së Podujevës, por figuron si pronë e personave privatë. Po ashtu, e njëjta parcelë është aktualisht në procedurë gjyqësore.
Duke marrë parasysh këto rrethana, kryesuesi kërkoi anulimin e këtij vendimi nga ana e anëtarëve të Kuvendit, propozim i cili u përfshi në rend dite dhe u anulua.
Gjatë kësaj mbledhje, Kuvendi i Komunës së Podujevës miratoi të gjitha pikat e rendit të ditës, si në vijim:
1. Procesverbali nga mbledhja urgjente e Kuvendit të Komunës e mbajtur më 01.06.2026
2. Propozim vendimi për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2025 në vitin 2026 dhe destinimin në kategori dhe programe të caktuara buxhetore
3. Propozim vendimi për transfer / rialokim të buxhetit të Komunës së Podujevës dhe destinimi në kategori dhe programe të caktuara buxhetore
4. Korniza Afatmesme Buxhetore – KAB e Komunës së Podujevës, për vitet 2027/2029
Kjo pikë u prezantua nga drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka dhe u diskutua gjerësisht nga anëtarët e Kuvendit dhe ekzekutivi komunal. Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë, duke theksuar se çdo koment dhe vërejtje e pasuron draftin dhe ndikon në përmirësimin e planifikimit buxhetor. Ai gjithashtu foli për projeksionet buxhetore dhe rëndësinë e një planifikimi të qëndrueshëm afatmesëm. Në përfundim, Korniza Afatmesme Buxhetore 2027–2029 u miratua nga Kuvendi.
5.Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit – ZKA për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Podujevës për vitin 2025 dhe Plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin e ZKA
Raporti u diskutua nga anëtarët e Kuvendit, të cilët paraqitën komentet dhe vërejtjet e tyre lidhur me gjetjet e auditorit. Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se komuna ka ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e rekomandimeve dhe se një pjesë e tyre tashmë janë zbatuar, ndërsa puna do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim. Ai gjithashtu potencoi sfidat buxhetore me të cilat është përballur komuna, si rezultat i obligimeve që rrjedhin nga kontrata kolektive, ku përmes procedurave përmbarimore janë ekzekutuar rreth 4 milionë euro gjatë dy viteve të fundit, duke ndikuar në realizimin e projekteve dhe planifikimeve komunale. Në përfundim, raporti dhe plani i veprimit u miratuan nga Kuvendi.
6.Propozim vendimi për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës – Njësia kadastrale P-71712029-00209-0 në sipërfaqe 38882 m², ZK Lupç i Poshtëm – Propozim vendimi për formimin e komisionit vlerësues për zbatimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës – Njësia Kadastrale parcelë: P-71712029-00209-0, në sipërfaqe 38882 m², ZK Lupç i Poshtëm
7.Rishqyrtim për anulim të vendimit për dhënie në shfrytzim afatgjatë të shërbimit spitalor kirurgjik universitar të Kosovës – ish objekti i emergjencës së qytetit
8.Te pika “Të ndryshme”, anëtarët e Kuvendit parashtruan pyetje dhe ngritën çështje të ndryshme për interesa të qytetarëve, për të cilat anëtarët e ekzekutivit dhanë përgjigjet përkatëse.