Kuvendi Komunal i Podujevës mbajti seancë selemne për nder të 19 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Podujevës. Seanca nisi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror të Kosovës e më pas kryesuesi Isak Shabani ftoi të pranishmit për një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit.
Kryesuesi Shabani theksoi se rruga drejt lirisë nuk ishte e shkurtër dhe as e lehtë, por ishte një rrugë e ndërtuar me përkushtim, sakrificë dhe vizion.
“Në vitet më të rënda për popullin tonë, politika paqësore dhe vizioni shtetformues i Ibrahim Rugovës e mbajti gjallë çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe e shndërroi kërkesën për liri në një kauzë të njohur botërisht. Por kur padrejtësia u bë ligj dhe dhuna u bë përditshmëri, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli morën mbi supe barrën e historisë dhe i treguan botës se liria nuk lypet përgjithmonë – një ditë ajo fitohet”, u shpreh kryesuesi Shabani.
Sipas tij, për shqiptarët e Kosovës, epopeja e UÇK-së mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë sonë.
“Në themelet e kësaj epopeje qëndrojnë figura të mëdha kombëtare – Kolosët e Kombit si: Adem Demaçi, simbol i qëndresës politike dhe sakrificës për liri; komandanti legjendar Adem Jashari, i cili me familjen e tij u bë simbol i flijimit për atdheun; si dhe heroi – komandanti Zahir Pajaziti, që me veprën dhe guximin e tij ndezi flakën e rezistencës në zemrat e mijëra shqiptarëve duke frymëzuar breza të tërë luftëtarësh të lirisë”.
Edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se 19 Qershori na kujton rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt lirisë, sakrificat e panumërta të popullit tonë dhe heroizmin e atyre që dhanë gjithçka për atdheun.
“Liria që gëzojmë sot është vepër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e dëshmorëve, martirëve dhe e të gjithë atyre që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësisë dhe shtypjes.
Në këtë rrugëtim historik, vendimtare ishte edhe mbështetja e aleatëve tanë dhe ndërhyrja e NATO-s kundër regjimit serb. Për këtë, populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj vendeve mike, në veçanti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat qëndruan në anën e drejtë të historisë kur populli ynë kishte më së shumti nevojë”, tha kryetari Bulliqi.
Ai theksoi se Llapi ka qenë gjithmonë në ballë të përpjekjeve për liri dhe shtetndërtim.
“Kjo trevë krenare i dha Kosovës bij e bija që u bënë simbol i rezistencës, i guximit dhe i atdhedashurisë. Emrat e Komandantit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushevci, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Bahri Fazliu, Ylfete Humolli, bacës Adem Demaçi, Fadil Vokrrit dhe shumë personaliteteve të tjera do të mbeten përherë pjesë e krenarisë sonë kombëtare dhe frymëzim për brezat që vijnë”.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Besim Latifi dhe ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Llapit, gjeneral Kadri Kastrati.
Në fund të seancës, Shoqata e Veteranëve-dega në Podujevë i ndau tri mirënjohje për tre luftëtarë të UÇK-së, dy mirënjohje post-mortem për Ali Poterën dhe Naim Kadriun dhe mirënjohje për mjekun e UÇK-së, Skender Murati.