Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e kompanisë Lamtrix SH.P.K., me të cilët ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi përmes përfaqësueses së kësaj kompanie, Amara Sejdiu.
Memorandumi synon zhvillimin dhe zbatimin e platformës digjitale “Populon”, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve. Përmes këtij projekti parashihet digjitalizimi i proceseve komunale, rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, si dhe përmirësimi i komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe administratës komunale.
Projekti do të realizohet nga Lamtrix, me mbështetje të partnerëve dhe investitorëve nga Finlanda, të cilët do të bëjnë financimin e platformës “Populon” në Podujevë.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Lamtrix do të ofrojë platformën digjitale, mirëmbajtjen teknike dhe mbështetjen e nevojshme, ndërsa Komuna e Podujevës do të angazhohet në promovimin dhe përdorimin e saj, si dhe do të bëjë koordinimin institucional për zbatimin e projektit.
Në takim morën pjesë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi dhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu.