Në ambientet e Shkollës Fillore “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh, qytetarët patën mundësinë ta shohin draftin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027–2029, si dhe të japin propozimet dhe kërkesat e tyre për vitet në vijim.
Draftin e KAB-së e prezantoi drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnore Uka, e cila shpjegoi procesin e hartimit dhe prioritetet kryesore të planifikimit buxhetor. Në këtë dëgjim mori pjesë edhe drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Behram Latifi.
Gjatë takimit, banorët shprehën nevojat e tyre, kryesisht në fushën e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe arsimit. Të gjitha propozimet u diskutuan në mënyrë të hapur, me synimin që të përfshihen në dokumentin final.
Dëgjimet publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029 do të vazhdojnë gjatë gjithë javës në lokacione të ndryshme, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në planifikimin buxhetor.