Sot, në sheshin “Katër Dëshmorët” në Podujevë, u shënua 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, përmes një programi të pasur dhe plot aktivitete argëtuese për më të fëmijët.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, dhe Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport kishte përgatitur një varg aktivitetesh të larmishme, duke përfshirë maskota për fëmijë, lojëra argëtuese, valle tradicionale, këngë dhe recitime, si dhe performanca muzikore me violinë, piano dhe kitarë. Po ashtu, fëmijët patën mundësi të shijojnë aktivitete të baletit, valleve moderne, pikturës dhe kreativitetit, si dhe ndeshje sportive.
Pjesë e programit ishte edhe shfaqja teatrale për fëmijë “Lepuri nga Poli i Veriut”, e cila u mbajt në Teatrin “Avdush Hasani”.
Fëmijët e pranishëm e shijuan në maksimum këtë ditë festive, duke kaluar momente të bukura dhe të mbushura me argëtim.
Pas aktiviteteve, Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi, ndau mirënjohje për fëmijët pjesëmarrës në program, ndërsa për të pranishmit u shpërndanë edhe duksa, pije dhe çokollata.