Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Isak Shabani. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica, drejtorët e drejtorive komunale dhe media.
Para fillimit të punimeve sipas rendit të ditës, shefi i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, propozoi që të shtohet edhe një pikë në rend dite: “Informatë nga Drejtoria e Arsimit lidhur me ndarjen e bursave komunale”. Ky propozim u përkrah nga anëtarët e Kuvendit dhe u përfshi në rend të ditës.
Më pas, Kuvendi vazhdoi me shqyrtimin e pikave të parapara. Fillimisht u miratuan procesverbalet nga mbledhjet e mbajtura më 31 mars 2026 dhe 23 prill 2026.
Te pika për rishqyrtimin e vendimit për themelimin dhe përbërjen e Komitetit për Komunitete, në bazë të shkresës së MAPL-së, shefat e subjekteve politike mbajtën një pauzë për t’u dakorduar rreth rritjes së numrit të anëtarëve nga 9 në 11, dhe me përfaqësim të subjekteve politike sipas rregullores. Pas kësaj, pika u miratua.
Në vazhdim, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Lirie Hoti Rama, prezantoi informatën nga drejtoria e DSHMS, lidhur me këtë, anëtarët e Kuvendit dhanë vërejtje dhe sugjerime të ndryshme.
Po ashtu, informatën nga Drejtoria e Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë e paraqiti drejtoresha Saranda Stublla. Gjatë diskutimit, anëtarët parashtruan pyetje të ndryshme, për të cilat ajo dha sqarimet e nevojshme.
Në kuadër të pikës për ndryshim-plotësimin e vendimit për formimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës, pas dhënies së dorëheqjes së anëtares së komisionit, u bë zëvendësimi i anëtarit të ri.
Gjithashtu, u prezantua dhe u shqyrtua propozim-plani i punës së KKSB-së për vitin 2026.
Në pikën shtesë, lidhur me ndarjen e bursave për studentë, drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, prezantoi të dhëna për numrin e përfituesve, kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes. Kjo pikë u diskutua nga anëtarët e Kuvendit, të cilët parashtruan pyetje dhe propozuan që të formohet një komision me përfaqësues nga subjektet politike për të verifikuar procesin.
Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit gjatë kësaj pike, mbledhja u ndërpre dhe nuk vazhdojë me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.